Elbasan- Policia ka arrestuar 50 vjeçarin Orel (Aurel) Mehja i cili 5 ditë më parë ka kërcënuar një punonjës policie në krye të detyrës dhe ka tentuar ta përplaste me makinë.
Mësohet se Mehja është dhëndri i Qazim Sejdinit, ish-kryebashkiakut të ndjerë të Elbasanit.
I arrestuari gjithashtu mban postin e drejtorit të kabinetit në këshillin e qarkut të Elbasanit si dhe njihet si pronar i disa bizneseve në qytet.
Ngjarja ka ndodhur më 16 mars, kur efektivi nuk e ka lejuar të kalojë me makinë në kuadër të masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e një aktiviteti sportiv.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan ekzekutuan urdhrin e datës 20.03.2025, të Prokurorisë së Elbasanit, për ndalimin e shtetasit O. M., 50 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës". Më datë 16.03.2025, ky shtetas dyshohet se ka kanosur për shkak të detyrës një punonjës policie, i cili në zbatim të planit të masave për mbarëvajtjen e një aktiviteti sportiv, nuk e ka lejuar që të kalojë me automjet në një rrugë në të cilën ishte e ndaluar lëvizja”- thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Versus.al







