Tregu ushqimor shqiptar është tronditur nga skandali i radhës sa i takon importit të produkteve ushqimore nga jashtë vendit.
Ditën e djeshme Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri me dije se një sasi e konsiderueshme mishi pule me salmonelë është shpërndarë për konsum nga kompania “DIMAL Inc”.
Mishi i pulës u mor në analizë më 21 mars, ndërsa AKU njoftoi publikun një javë pas daljes së rezultateve që tregonin se produkti kishte praninë e bakterit të rrezikshëm. Gjatë kësaj kohe, mishi i pulës ishte shpërndarë nëpër marketed he ishte konsumuar nga qytetarët.
Kompania “DIMAL Inc” vijoi me shitjen e mishit të ardhur nga Brazili pavarësisht se autoritetet kishin ngritur dyshime mbi sigurinë e tij.
"Kam shitur nga malli që ka ardhur i importuar, por nuk kam dijeni sesa. Tani jam nën presion,"-ka thënë për mediat Mondi Goxha, pronari i kompanisë.
Ndërkohë që ka deklarime të ndryshme lidhur me sasinë e mishit me salmonelë që ka hyrë në vend dhe është konsumuar nga qytetarët, burime bëjnë me dije se pjesa më e madhe e ngarkesës, plot 13.1 tonë fileto pule me salmonelë doli në tregun shqiptar, ndërsa nga ana tjetër vetëm 5.2 tonë u bllokuan.
Por një kontradiktë e madhe vërehet në deklarimet e Mond Goxhës dhe deklaratës zyrtare të “DIMAL”. Ndërkohë që Mond Goxha pranon se e ka shitur mishin me salmonelë, në deklaratën e kompanisë i lihet përgjegjësia “AKU”-së dhe kompanisë importuese “AMG Food” që gjithashtu është nën pronësi të Mond Goxhës.
“Së pari, sqarojmë se kompania jonë nuk importon drejtpërdrejt mish pule të papërpunuar, pra nuk është kompania jonë importuesi i mishit të pulës së papërpunuar që raportohet ne media të ndryshme online dhe në rrjetet sociale. Ky proces kryhet ekskluzivisht nga një prej furnitorëve tanë të jashtëm, i cili mban përgjegjësinë e plotë për kontrollin, dokumentacionin dhe përputhshmërinë e produktit me standardet ligjore dhe shëndetësore në fuqi”- thuhet në reagimin sqarues që ka ngritur edhe më shumë paqartësi në publik.
Kontradita vijon edhe më tej kur kompania thotë se pasi mori njoftimin nga prona tjetër e Goxhës, bllokoi sasinë e mishit, ndërkohë që vetë pronari pati deklaruar më herët se mishi është shitur dhe se nuk e ka një shifër të saktë sesa.
“Pas një njoftimi zyrtar nga furnitori ynë mbi dyshime për kontaminim të mundshëm në një sasi të kufizuar të mishit të papërpunuar, kompania DIMAL Inc. reagoi menjëherë, duke ndërmarrë të gjitha masat paraprake të nevojshme për të garantuar sigurinë e zinxhirit tonë të prodhimit. Ne konfirmojmë se asnjë sasi nga lotet e kontaminuara nuk është përdorur në prodhimin e produkteve ose nënprodukteve tona dhe se grupi i identifikuar nuk është aktualisht në prodhim”- pretendon kompania “DIMAL”.
AKU ka referuar çështjen në prokurori në ngarkim të kompanisë “DIMAL” duke e akuzuar për informacion të rremë dhe mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë duke nxjerrë në shitje produktin që ishte bllokuar teksa bëheshin analizat. Versus.al








