
Një turist gjerman 68-vjeçar ka pësuar një incident teksa eksploronte zonën malore të “Maja e Rosit” në Valbonë, duke u rrëzuar dhe dëmtuar këmbën. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:15 dhe u raportua menjëherë në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Tropojë.
Pasi morën njoftimin, forcat e Policisë së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës u nisën drejt vendngjarjes. Pas rreth dy orësh kërkime në terren të vështirë, ata arritën të lokalizojnë turistin dhe t’i ofrojnë ndihmën e parë.
Policia transportoi të dëmtuarin deri në zonën ku mund të hynte mjeti dhe më pas ai u dërgua me autoambulancë drejt Spitalit të Tropojës. Fatmirësisht, turisti ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës konfirmon angazhimin e plotë për sigurinë dhe ndihmën ndaj qytetarëve e turistëve, veçanërisht gjatë sezonit turistik, ku rritet prania në zonat malore të vendit.
Versus.al







