
Një tjetër zhvillim vjen nga përplasja e dhunshme e ndodhur dy ditë më parë në zonën e “Ali Demit”, ku një konflikt fizik i shoqëruar me të shtëna armësh tronditi mbrëmjen e 10 qershorit në Tiranë. Policia ka arrestuar një 26-vjeçar, i cili fillimisht rezultonte si i dhunuar, por më pas është zbuluar se kishte dhënë deklarata kontradiktore për ngjarjen.
I riu, me inicialet G. K., u vu në pranga për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Moskallëzim krimi” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”. Në thelb, ai jo vetëm që nuk ndihmoi në hetime, por duket se ka tentuar të shtrembërojë të vërtetën.
Ndërkohë, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër person të përfshirë në përplasje, 28-vjeçarin Nj. P., i dyshuar si një nga agresorët në konfliktin që degjeneroi në dhunë dhe armë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, përplasja nisi jashtë një lokali, ku pati të shtëna në ajër, dhe më pas degjeneroi në konfrontim fizik. Katër persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim – F. D., 36 vjeç, D. Zh., 25 vjeç, M. D., 27 vjeç dhe F. S., 27 vjeç – të gjithë të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia sekuestroi një shkop bejsbolli, dy gëzhoja, një automjet dhe tre celularë, të cilët pritet të shërbejnë si prova kyçe në zbardhjen e plotë të konfliktit.
Hetimet po vijojnë me intensitet dhe policia është në ndjekje për të arrestuar të gjithë të përfshirët dhe për të përcaktuar me saktësi rolet dhe përgjegjësitë penale të secilit.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1: Në vijim të veprimeve procedurale me qëllim dokumentimin e ngjarjes së ndodhur me datë 10.06.2025, rreth orës 23:00, në rrugën “Ali Demi”, kanë arrestuar shtetasin G. K., 26 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, si dhe identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin Nj. P., 28 vjeç, pasi dyshohet se është përfshirë në konflikt.
Vijojnë hetimet dhe kontrollet për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast, si dhe për individualizimin e përgjegjësisë së tyre penale. Versus.al