
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përmes mbrojtjes së tij, ka dorëzuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të caktuar nga Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të kaluar. Mbrojtja argumenton se në këtë rast janë kaluar 8 muaj pa asnjë raport dy mujor nga SPAK, duke shkelur afatet ligjore.
Në dokumentet e dorëzuara, mbrojtja referon edhe vendime të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut, duke përfshirë dosjen “Gëllçi”, si precedentë që mbështesin kërkesën për një masë më të butë sigurie. Kërkesa u dorëzua të enjten dhe brenda 5 ditësh GJKKO duhet ta shqyrtojë atë.
Pak ditë më parë, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, bëri me dije se SPAK i ka komunikuar zgjatjen e afateve të hetimit, por mbrojtja ende nuk ka bërë ankim ndaj këtij vendimi. Ndërkohë, Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi janë njoftuar për akuzat brenda limiteve ligjore.
Avokati Cakrani u paraqit së fundmi në Gjykatë ku tërhoqi disa dokumente që do të përdoren për një ankim në Gjykatën Kushtetuese, duke sfiduar ligjshmërinë e masës së sigurisë. Ai njoftoi se kërkesa për ankim do të depozitohet javën e ardhshme. Versus.al







