Dy fëmijë, një shqiptar dhe një grek, ndërruan jetë tragjikisht pas një aksidenti në lumin Arachthos ditën e mërkurë. Pas një beteje të dëshpëruar për jetën në spital, Të mërkurën pasdite, Kleoni Fezollari, 12 vjeç, dhe Spyros Kristofor, 14 vjeç, u shpallën në vdekje klinike, duke i lënë familjarët dhe komunitetin në zi.
Sipas autoriteteve mjekësore, të dy fëmijët qëndruan nën ujë për rreth 20 minuta, ndërsa përpjekjet për t’i rikthyer në jetë nisën rreth 30 minuta më vonë, në spitalin e Artës. Ata u transferuan menjëherë në repartin e kujdesit intensiv në spitalin e Rios, ku pavarësisht përkushtimit të mjekëve, trupi nuk iu përgjigj më trajtimeve.
Në një akt të jashtëzakonshëm human, prindërit e fëmijëve vendosën të dhurojnë organet e tyre, duke u dhënë shpresë të tjerëve për jetë, edhe në momentin më të errët të tyre.
Skena dramatike ndodhi kur një grup prej katër fëmijësh shkoi për të notuar në lumin Arachthos. 12-vjeçari Kleoni u zhyt i pari dhe filloi të mbytej. Pa u menduar, 14-vjeçari Spyros, një mik i ngushtë, u hodh në ujë për ta ndihmuar, por u godit në kokë dhe u mbyt bashkë me të.
Dy fëmijët e tjerë që ishin me ta kërkuan ndihmë, dhe në ndihmë erdhi Levian Goga, një emigrant shqiptar që u hodh në lumë pa hezituar.
Dëshmia e Gogës: “Bëra atë që do të bënte çdo baba”
Levian Goga, që ndodhej pranë vendit të ngjarjes, tregoi për protothema.gr momentet dramatike të kërkimit dhe shpëtimit:
“Njëri nga fëmijët erdhi me motor e bërtiti: ‘Ndihmë, dy fëmijë po mbyten!’ U nisa menjëherë. U zhyta disa herë, e pashë trupin e parë në fund të lumit, tetë metra thellë. Pastaj gjetëm dhe të dytin. I nxora të dy, por fytyrat e tyre ishin të nxira… U frikësova.”
Mes emocioneve, ai shtoi:
“Njëri prej tyre ishte në moshën e vajzës sime. Nuk më intereson kush janë, nga janë. Jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do të bënte çdo prind.” /Versus.al/







