Dy fëmijë që ranë në lumin Arahthos të mërkurën (11 qershor) janë shpallur tashmë klinikisht të vdekur.
Viktimat janë një 12-vjeçar dhe 14-vjeçari, i cili u hodh në ujë për të shpëtuar shokun e tij që po mbytej.
Prindërit e Spirosit, i cili humbi jetën në përpjekje për të ndihmuar mikun e tij, kanë marrë një vendim prekës dhe fisnik: të dhurojnë organet e djalit të tyre, në mënyrë që jeta e dikujt tjetër të mund të shpëtohet.
Në vendin ku ndodhi tragjedia, miqtë e fëmijëve kanë vendosur lule dhe një letër prekëse:
"Do t’ju kujtojmë përjetë, u larguat si heronj. Me dashuri, shokët tuaj."
Sipas raportimeve, dy fëmijët qëndruan për rreth 20 minuta nën ujë dhe më pas, edhe 30 minuta të tjera kaluan përpara se të fillonte reanimimi në spitalin e Artës, ku mjekët bënë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i rikthyer në jetë.
Më pas, ata u transferuan në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin e Rios, por pas dy ditësh luftë të pashpresë, u konstatua vdekja cerebrale.
Si ndodhi tragjedia?
Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite, kur një grup prej katër fëmijësh shkuan për t’u larë në lumin Arahthos.
Sipas dëshmive, i pari që hyri në ujë ishte 12-vjeçari, i cili nisi të mbytej.
Spiros, 14 vjeç, paqedashës dhe trim, u hodh menjëherë në ujë për ta ndihmuar, por për fat të keq goditi kokën dhe që të dy u zhdukën në thellësinë e ujit.
Dy fëmijët e tjerë vrapuan për ndihmë dhe në vendngjarje mbërriti shqiptari Levian Goga, që nuk hezitoi të hidhej në lumë për t’i nxjerrë fëmijët.
Në një rrëfim prekës për mediat greke, ai tha:
"Nuk më intereson kush janë, çfarë kombësie apo feje kanë. Edhe unë jam i huaj, por mbi të gjitha jam njeri. E bëra atë që do të bënte çdo baba. Njëri nga ata ishte në moshën e vajzës sime. Jam i shkatërruar."
Ai përshkroi sesi hyri në ujë disa herë, duke arritur të gjejë trupat e fëmijëve nën ujë, pa ndjenja dhe me shenja të qarta të mbytjes./Versus.al







