
Policia arrestoi 6 persona pak ditë më parë në kuadër të operacionit kundër krimit kibernetik dhe mashtrimit online me skemën piramidale të quajtur “XUEX”. Dëmi total i shkaktuar si pasojë e kësaj skeme përllogaritet mbi 10 milionë dollarë.
Disa prej personave të mashtruar kanë folur së fundmi për emisionin “Inside Story” duke rrëfyer sesi ranë pre e skemës mashtruese dhe pas tyre e pësuan edhe familjarët e tjerë.
“Ekonomia dhe mashtrojnë njerëzit e dobët. Po hajde këtu, hajde atje. Po para varet, varet, çmime të ndryshme. Po fillon me 20 mijë lekë dhe lart. Mjerë atij që i bie. Nuk i tërheq dot, po çfarë argumentash të thonë? Mirupafshim dhe shëndet!”, u shpreh i mashtruari nga piramodat online.
Në Lushnje, epiqendra e platformës KSUEKS konsiderohej lokali “La Bonta”, në pronësi të shtetasit Arbër Çela i cili u izolua nën masën e arrestit me burg për 60 ditë. Të informuar për zhurmën publike që po bëhej, personat që shkonin atje për investime ishin udhëzuar të mos flisnin. Loja zgjati disa muaj me mashtrime, derisa pjesëmarrësit kuptuan se pikët që fitonin ishin false dhe autoritetet nisën hetimet.
“4 muaj – 2 sinjale ne dite. Futa dhe vëllain sepse mendoja se fitohej mirë. U futa sepse të gjithë thonin se fitohej dhe po fitonin”, u shpreh i mashtruari nga piramidat online.
“Unë i shikoja pikë. Ata shtoheshin pikët, por nuk arrita që ti tërheq. U dogja unë, u dogj dhe vëllai dhe të gjithë shokët e mi që jemi futur në muajt e fundit të gjithë jemi djegur”, u shpreh ai.
Viktimat e mashtrimeve nuk guxojnë të identifikohen. Kjo, edhe për një arsye: ata që i përfshinë në skemë janë kryesisht të afërm që ose u mashtruan, ose synonin zgjerimin e rrjetit për përqindjet e tyre.
"Të gjithë shokët e mi u dogjën. Kanë fituar vetëm ata që ishin të parët. Ne të tjerët u dogjëm. U joshëm se u përhap shumë në fakt. Ishte grupi i Telegramit, ishim qindra anëtarë pa ekzagjerim”, u shpreh i mashtruari nga piramidat online.
‘Të parët, 10 apo 20% fitojnë, ndërsa 80% humbasin. Për të tjerët sistemi bllokohet, Por dhe ata që janë në fillim dhe marrin fitimet e para,njeriu është i pangopur dhe bien pre e lakmisë dhe në këtë mënyrë ata i rihidhen sërish fitimet e tyre dhe mbesin brenda”, u shpreh Fatjon Kadillari, ekspert kriptomonedhash.
Një ndër problemet që kanë shkaktuar këto skema është dhe përplasja e familjarëve me njëri-tjetrin. Pasi kanë humbur paratë, viktimat e skemës kanë kërkuar llogari tek të afërmit e tyre që i përfshinë. Diçka të tillë e thotë dhe i intervistuari ynë. Versus.al
