Pas tre ditësh në agoni, ndërroi jetë sot Fatos Cenaj, 59-vjeçar, ish-punonjës i Policisë së Burgjeve në Shqipëri. Ai u gjet i plagosur rëndë më 8 qershor, në një rrugë të qetë të qytetit Fontaniva, në rajonin Veneto të Italisë, me një plagë plumbi në zonën e veshit.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore nuk u përmirësua dhe sot ai ndërroi jetë në spitalin ku ishte shtruar nën kujdes intensiv.
Cenaj kishte mbërritur në Itali tre vite më parë, pasi kishte lënë pas karrierën si roje burgu në Shqipëri. Sipas të dhënave të para, ai kishte ndërtuar një jetë normale dhe pa probleme në Fontaniva, ku jetonte i qetë dhe pa të dhëna për përfshirje në ndonjë konflikt apo çështje kriminale.
Autoritetet italiane kanë nisur një hetim të thelluar për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, por deri tani nuk ka asnjë pistë të qartë që të shpjegojë motivin e plagosjes së tij. Karabinierët nuk kanë gjetur asnjë armë zjarri në vendngjarje, dhe as ndonjë dëshmitar që të ndihmojë në rindërtimin e ngjarjes.
Ekspertët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme, përfshirë vetëvrasjen, aksidentin apo atentatin. /Versus.al







