AKTUALITET /

U vra me thikë nga 14 vjeçari në Durrës, përcillet për në banesën e fundit i mituri nga Bulqiza

Qindra persona morën pjesë në varrim për t'i shprehur ngushëllimet familjes së 15 vjeçarit.

Shkruar nga Versus
U vra me thikë nga 14 vjeçari në Durrës, përcillet
Bulqizë

Dibër- Paraditen e sotme në Bulqizë është përcjellë për në banesën e fundit 15 vjeçari Erion Boba i cili ndërroi jetë pas 10 ditëve në koma si pasojë e plagëve me thikë që kishte marrë nga sherri me një 14 vjeçar. Qindra persona ishin të pranishëm në ceremoninë mortore për të miturin duke u shprehur ngushëllimet familjes së tij.

Fatmilja e 15 vjeçarit të ndjerë nga fshati Koçaj i Bulqizës, prej 3 vitesh jetonte me qira në zonën e Kënetës ku ishte vendosur për një jetë më të mirë e arsim më profesional.

Ditën e djeshme, Adem Boba, babai i të miturit që humbi jetën tha për mediat se i biri shkonte në shkollë dhe në punë për të ndihmuar familjen dhe se nuk kishte patur asnjë lidhje me sherrin e ndodhur ku u qëllua me thikë disa herë pranë zemrës, gjë që i shkaktoi edhe vdekjen. Sipas tij, një dëshmitare okulare ka parë ngjarjen dhe mund të japë më shumë detaje, ndërsa tha se të birin e kishin thirrur shokët gjatë kohës që po shkonte në punë për të sqaruar një konflikt që ata kishin patur me autorin e krimit.

Ngjarja e rëndë shokoi edhe njëherë vendin duke treguar se institucionet shtetëror nuk kanë nxjerrë mësim dhe nuk kanë marrë masa që prej 2 vrasjeve të ndodhura më herët mes të miturve pranë shkollave. Versus.al

Poll