Detaje të tjera janë publikuar nga mediat italiane lidhur me vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro pas ndërhyrjes kirurgjikale për ngushtimin e stomakut në “Trita Hospital”. Prokuroria e Padovës nisi hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë, ndërsa mediat e huaja raportojnë se procesi ka pengesa serioze që lidhen me autopsinë e kryer në Shqipëri.
Sipas “Il Gazzettino”, mjeku ligjor i ngarkuar nga prokuroria për të kryer autopsinë, nuk ka mundur të dalë në një përfundim pasi ekzaminimet pas vdekjes janë të pamundura. Arsyeja lidhej me faktin se në trupin e Ferros mungonin disa organe të cilat janë hequr gjatë autopsisë së kryer në Shqipëri dhe ende ndodhen në laboratorin e mjekësisë ligjore në Tiranë. Ndër organet që mungojnë është stomaku, i konsideruar i rëndësishëm për hetimet. Kështu që do të duhet të pritet përfundimi i rezultateve të analizave nga kolegët në Tiranë në mënyrë që prokuroria italiane të kërkojë përmes një letër porosie dorëzimin e dokumenteve të nevojshme.
Sipërmarrësi italian ndërroi jetë në QSUT më 22 dhjetor, katër ditë pas operacionit në stomak për humbje peshe në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë. Familjarët e tij akuzojnë spitalin se nuk i bëri analiza dhe kontrolle para operacionit dhe kërkojnë drejtësi për 54 vjeçarin e ndjerë. Versus.al


