
Tiranë- Endri Nika, 28 vjeçari i arrestuar të shtunën nën dyshimin se ka shtyrë drejt vetëvrasjes policen 21 vjeçare Aldorjana Loshi, është liruar sot nga qelia.
Pas kërkesës së avokatit mbrojtës, gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest shtëpie” për të riun i cili akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
28 vjeçari kishte tre muaj i lidhur me efektiven e re e cila ishte kolege e babait të Endri Nikës në komisariatin nr.5. Ngjarja e rëndë ku efektivja u vetëvra me armën e shërbimit ndodhi të premten në rrugën “Ali Demi” brenda banesës së saj në Tiranë.
Sipas policisë, dyshohet se Endri Nika ka fshirë me shpejtësi mesazhet e efektives sapo ka hyrë në banesë dhe ka parë të pajetë 21 vjeçaren. Kjo e fundit dyshohet ta ketë ndërmarrë aktin e rëndë pas një debati me të dashurin.







