Dy gazetarët e kronikës së zezë, Artan Hoxha dhe Elton Qyno për të cilët u raportua më herët se SPAK ka kërkuar masë sigurie, janë paraqitur në GJKKO ditën e sotme ku dhe u është komunikuar masa 'detyrim paraqitje'. Artan Hoxha dëgjohet të thotë në videon e siguruar nga Versus se nuk e kanë arrestuar akoma.
Njoftimi i GJKKO:
Në kuadër te hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.
Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë:
Arrest me burg - 18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit);
Arrest në shtëpi - 1 avokat;
Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore - 2 gazetarë.
Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.
Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme./ Versus.al








