
Ka mbërritur në Shëngjin anija e parë me emigrantë në bazë të marrëveshjes që Shqipëria ka firmosur me Italinë për strehimin e tyre deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.
Kontigjenti i parë i emigrantëve është i përbërë nga 16 persona në bordin e anijes "Libra", të gjithë meshkuj me origjinë nga Egjipti, dhe Bangladeshi të cilët janë kapur në det të hapur. Policia ka marrë masat për përshpejtimin e të gjitha procedurave kufitare të nevojshme. Mediat e huaja si “Reuters” e kanë cilësuar marrëveshjen për emigrantët si kontraverse, duke marrë parasysh edhe faktin që është marrëveshja e parë e bërë për emigrantët e vendeve të botës së tretë, e bërë nga një vend anëtar i BE dhe vend jo anëtar.
Marrëveshja e pakonsultuar nga Rama me qytetarët shqiptarë, është vlerësuar nga ndërkombëtarët të cilët kanë shprehur interes për të bërë marrëveshje të ngjashme mes vendeve që drejtojnë dhe shteteve jo anëtare të BE.
Kampi i Gjadrit është ndërtuar njëjtë me një “paraburgim të lehtë” ku i gjithë territori brenda kampit do të jetë nën juridiksionin italian dhe emigrantët nuk e kanë të lejuar të dalin deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së tyre për azil në Itali. Kapaciteti vjetor i këtyre qendrave të ndërtuara arrin deri në 36 mijë persona në një vit. Marrëveshja me Italinë është firmosur për 5 vite. Versus.al







