Pas disa seancave të shtyra ku shprehej se ndodhej jashtë vendit, Fatmir Mediu është paraqitur sot në GJKKO, ku do të mbahet seanca për masakrën e Gërdecit të ndodhur më 15 mars 2008 kur 26 persona humbën jetën nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve.
Në hyrje të GJKKO, ish-ministri i Mbrojtjes shihet i buzëqeshur teksa përshëndet edhe gazetarët.
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu po kundërshton vetë para gjyqtares Irena Gjoka dhe prokurorit të SPAK Arben Kraja ekspertizën tekniko-ushtarake. Për këtë Mediu dhe avokatët e tij Ardian Visha e Henrik Ligori, u kanë drejtuar dhjetëra pyetje eskpertëve që e kanë hartuar pas ngjarjes së 17 viteve më parë në Gërdec
Deputeti Mediu argumenton se gjatë ish-administratori i firmës “Alba Demil”, Mihal Delijorgji ka punuar në Gërdec që në kohën kur kryeministër ishte Pandeli Majko, ndërsa theksoi se më së shumti telefonata Delijorgji ka patur me shefin e Shtatbit të FA, Luan Hoxha sesa vetë Mediu si ministër i Mbrojtjes.
“Mihal Deliojorgji ka punuar në Gërdec për tanket, në kohën e Majkos. Shefi i shtabit i Forcave të Armatosura Luan Hoxha kishte 300 telefonata me Deliorgjin, ministri zero të tilla. Sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm, del qartë, që shpenzimet për transportin e municioneve nuk kanë qenë pjesë e kompetencave të Ministrit të Mbrojtjes.
Sipas ligjit për buxhetin, fondet e donatorëve për demontim, konsiderohen si pjesë e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, qoftë grante, qoftë kredi. Në çdo rast tjetër transporti është bërë nga Forcat e Armatosura”- u shpreh Mediu duke mohuar përgjegjësinë e tij në tragjedinë e rëndë.
Seancën e kaluar, seanca u shty për shkak se ministri ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej ku edhe kishte publikuar video me drejtuesin e fushatës së PD, Christopher Lacivita. Ndërsa gjyqtari i dha vërejtje avokatit të Mediut duke i bërë me dije se shkaqe të tilla nuk do të përllogariten më si të vlefshme në proces gjyqësor.
Zamira Durda, nëna e një djali të mitur që humbi jetën nga shpërthimi ka shprehur shpesh ankesat e saj për procesin të cilin e konsideron një "zvarritje" që nuk po sjell drejtësi. Versus.al








