Gjatë pasdites së 12 qershorit, mijëra besimtarë nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare iu drejtuan Kishës së Shna Ndout në Laç, për të marrë pjesë në vigjiljen e ditës së Shën Antonit të Padovës, i njohur si shenjtori i mrekullive.
Pelegrinët, të mbushur me shpresë dhe përulësi, ngjiten në këmbë drejt kodrës së shenjtë, duke mbajtur qirinj në duar dhe lutje në zemër. Atmosfera është solemne dhe shpirtërore, teksa luten për ditë më të qeta, harmoni në familje, shëndet dhe shpëtim shpirtëror.
Kjo ditë shënon kulmin e pelegrinazhit 13-javor të martave, një traditë që ruhet prej shekujsh dhe që është pjesë e trashëgimisë fetare dhe kulturore të shqiptarëve. Njerëz të besimeve të ndryshme, të rinj dhe të moshuar, ndajnë të njëjtin besim te forca ndërmjetësuese e Shna Ndout për të ndryshuar jetën e tyre për mirë.
“Na ndihmoftë Shna Ndou!” është thirrja që dëgjohet shpesh mes besimtarëve që qëndrojnë tërë natën pranë kishës në lutje, duke kërkuar ndihmë dhe falënderuar për bekimet që besojnë se kanë marrë. /Versus.al







