
Vjedhjet e vazhdueshme të banesave, bizneseve dhe vilave është kthyer në shqetësim për banorët e Venecias në Itali.
Policia italiane ka shkatërruar një grup grabitësish shqiptarë, duke vënë në pranga katër prej tyre në goditjen e fundit në Padova. Autorët e dyshuar ktheheshin nga plaçkitjet e kryera në zonën e Pordenones.
Dy prej tyre sapo panë policinë tentuan të arratiseshin. Banda akuzohet për vjedhje të mallrave e sendeve me vlerë dëmi rreth 200,000 euro. Mes materialeve të vjedhura edhe bizhuteri ari dhe ora luksoze. Autorët kishin marrë një apartament me qira, ku u gjetën prova të shumta.
Policia zbuloi se makina që përdornin autorët e grabitjeve ishte me targa false.
Rreth pesëmbëdhjetë policë rrethuan apartamentin e shqiptarëve, pastaj hynë me forcë brenda, duke i habitur ndërsa ktheheshin. Njëri nga kriminelët e kishte zhvendosur shtratin në dhomën e gjumit nën dritare, që ta kishte më të lehtë arratisjen në rast se do të vinte policia por plani i tij dështoi.
I vetmi person që tentoi të arratisej është një 25-vjeçar, i cili ndodhet në Itali që nga viti 2018 dhe nuk ka precedentë penalë, me një vendbanim fiktiv në zonën e Caserta. Dy të arrestuarit e tjerë janë një 35-vjeçar, i cili ndodhet në Itali që nga viti 2005 dhe është burgosur dy herë në vitin 2012, si për vjedhje me thyerje, ashtu edhe në vitin 2023 për posedim të mjeteve të vjedhjes me thyerje dhe posedim të paligjshëm të armëve.
I treti është një 34-vjeçar, i cili ndodhet në Itali që nga viti 2018, e që u arrestua në vitin 2023 dhe 2024 për të njëjtin krim. Ai ishte gjithashtu i kërkuar sepse ndaj tij ishte lëshuar një urdhër paraburgimi në lidhje me procedurat penale nga Prokuroria e Teramos, gjithashtu për vjedhje me thyerje.
