
Avokati Maks Haxhia, i njohur për avokatinë e tij në disa çështje të bujshme ndaj personazheve të njohur si ajo ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka dhënë detaje mbi një shprehje të tij që u bë virale mbrëmjen kur u dha dënimi për Tahirin.
I ftuar në Euronews, avokati Haxhia zbuloi sesi ish-ministri i kishte kërkuar paketë pasi iu cakua dënimi me burg dhe bëri me dije se “Visi” është shoferi i tij të cilit i kishte kërkuar të çonte shpejt dy paketa pasi nga momenti në moment mund të nisej furgoni me Tahirin për ta çuar në burg.
Pjesë nga intervista:
Gazetarja: Është bërë e famshme ajo “o Visi dy paketa”, çfarë ishte?
Maks Haxhia: Isha shumë i indinjuar nga vendimi për Saimir Tahirin. Nuk është vendi këtu, por çështja e Saimir Tahirit është një çështje që e deklaroj publikisht që nuk është gjykuar drejt. Nuk dua të flas për “pse, qysh, e tek” se nuk është vendi, por ishim në një moment të atillë që kur u dha vendimi, nuk ndryshoi gjë, vetëm se futet në burg. Se po i njëjti vendim do ishte me kusht. Edhe unë nuk po i besoja. Saimiri ishte shumë i qetë, dhe më thotë shiko,.. për anën financiare. Po ik mo i thashë, ke mendje ti tani të më thuash për shpërblim. Më tha po deshe për dy paketa se ai e pinte duhanin. Po i them unë, dy minuta. Unë po dilja për të kërkuar, Visi ishte shoferi dhe i thashë dy paketa urgjent sepse nisej furgoni. Se kuptohet, situatë shumë e rëndë që këta që pinë e kalojnë me duhan. Në momentin që dal unë, mblidhen edhe gazetarët dhe në atë moment dëgjohet që i them Visi ço dy paketa atje.
Në 2022-in, Apeli i GJKKO me gjyqtar kryesues Engert Pëllumbin dënoi Tahirin me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre. Versus.al







