
Fatos Cenaj, 58 vjeç, ish-punonjës i sistemit penitenciar shqiptar, është vrarë me armë zjarri më 8 qershor në një zonë bujqësore pranë Padovës, Itali. Burime zyrtare nga autoritetet italiane konfirmuan se viktima është qëlluar me dy plumba pas koke ndërsa udhëtonte me triciklin e tij për në punë, vetëm pak kilometra larg banesës ku jetonte.
Cenaj ishte ish-gardian në paraburgimin e Beratit, ku punoi për disa vite para se të largohej nga detyra pas një vale shkarkimesh që përfshiu edhe kunatin e tij, Arif Dervishi, ish-drejtor i burgut dhe ish-emërim politik i LSI-së në atë kohë. Pas shkarkimit, Cenaj u zhvendos në Itali për të jetuar pranë djemve të tij, në provincën e Padovës.
Si ndodhi vrasja?
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, në rrugën Casoni Basse të komunës Fontaniva, një zonë kryesisht bujqësore. Dyshohet se vrasja është pasojë e një konflikti të çastit që kishte nisur në një lokal. Më pas autorët kanë ndjekur Cenajn dhe i kanë zënë pritë në rrugë.
Një kalimtar e gjeti trupin në një kanal anësor, fillimisht duke menduar se viktima kishte rënë të fikët apo kishte pësuar një aksident. Por mjekët konfirmuan më vonë plagët fatale nga arma e zjarrit. 58-vjeçari ndërroi jetë në spitalin e Padovës, ku ishte në gjendje të rëndë.
Hetimet në Itali
Autoritetet italiane janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri tani nuk ka dëshmitarë okularë, ndërsa asnjë kamerë sigurie nuk ka dokumentuar momentin e sulmit, duke e bërë më të vështirë identifikimin e autorëve.
Burime të afërta me hetimin thonë se motivacioni mbetet ende i paqartë, ndërsa pritet të analizohen të dhëna mbi të kaluarën e viktimës dhe rrethin e tij shoqëror. Versus.al







