
Tiranë- Banesa e Ervis Lamit i cili njihet për arratisjen nga burgu i Drenovës, ka qenë mes të parave që është kontrolluar nga policia në lidhje me vrasjen e Lulzim Vishës, 48 vjeçarit që u ekzekutua mëngjesin e djeshëm në Zall Mner.
Dje u bë me dije se ndaj viktimës ishte qëlluar 12 herë me pistoletë silenciator. Ndërsa sipas informacioneve paraprake, në banesën e Ervis Lamit u gjet pistoletë me silenciator. Lami nuk ka qenë në banesën e tij gjatë kontrollit të policisë, por dera u hap nga një familjar i tij.
Dyshohet se viktima i cili punonte si postier, kishte pasur më herët një konflikt me Ervis Lamin dhe familjarë të tij për pronat. Në pranga ka rënë Eduart Lami, djali i xhaxhait të Ervis Lamit, ndërsa po vijojnë kërkimet për këtë të fundit.
Njoftimi i plotë:
Kontrolle intensive dhe punë profesionale hetimore për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, mëngjesin e djeshëm në Kamëz.
Në kuadër të kontrolleve bazuar në inteligjencën policore, Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Silenciatori”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. L, në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë .
Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Kamëz., për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.
Po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E. L., 31 vjeç.
Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi E.L 37 dhe E.L 31 vjec.
Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
Ervis Lami, ka qenë bashkëpunëtor në arratisjen së 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës më 23 nëntorit 2013, në mesin e të cilëve edhe Admir Tafili. Në atë kohë, Ervis Lami pati deklaruar se plani për arratisje është bërë nga ai dhe Admir Tafili, madje edhe armët në burg i kishte futur vetë ai, duke marrë përsipër të gjithë skemën.
Pjesë e hetimeve për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm, është edhe pista e hasmërisë për shkak të vrasjes së Besnik Visha, vëllai i viktimës kishte kryer në vitin 1997, për të cilën ishte dënuar asokohe me 12 vite burg. Versus.al







