
Tiranë- Forcat “RENEA” kanë zhvilluar kontrolle në banesën e Ervis Lamit në Zall Mner të Kamzës ku u vra me disa plumba Lulzim Visha më 24 janar.
Kontrollet nuk arritën të zbulonin asgjë, pasi Lami nuk gjendej në banesë. Sipas sistemit TIMS, i shpalluri në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Vishës brenda makinës së punës, rezulton të jetë në Shqipëri.
Por dyshimet janë se ka kaluar kufirin ilegalisht drejt Kosovës.
Lami u shpall në kërkim një ditë pas ngjarjes pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij, u gjet një pistoletë me silenciator dhe u konstatuan vrima në muret prej druri. Pas gjetjes së armës, policia arrestoi Eduart Lamin, kushëririn e personit të shpallur në kërkim. Të dy kushërinjtë e kishin në përdorim banesën, por në gjykatë Eduarti preferoi të mos fliste duke thënë se nuk e kishte idenë për armën.
Pistë e hetimit është një debat që viktima ka pasur pak kohë më parë me dy kushërinjtë Lami për çështje pronash. Por policia nuk ka përjashtuar as mundësinë e një hakmarrje të mundshme mbi një vrasje që vëllai i të ndjerit kishte bërë në vitin 1997 për motive të dobëta. Versus.al







