Tiranë- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës ku biznesmeni Eduart Reçi u qëllua me plumb në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës gjatë orëve të para të së enjtes.
Në momentin kur familjarët e tij e panë të shtrirë në tokë 52 vjeçarin, kanë njoftuar policinë. Mësohet se salla informative është njoftuar për një person të gjakosur dhe jo për vrasje.
Pasi iu hap telefoni, Eduart Reçi nuk rezulton të jetë telefonuar dhe as të ketë shkëmbyer mesazhe me dikë para se të ndodhte ngjarja, kështu që ka rënë pista e hetimit se dikush mund ta ketë nxjerrë në pritë në rrugën “Faik Konica” pak metra larg banesës së tij.
Kamerat e sigurisë së zonës, kanë kapur vetëm momentin kur 52 vjeçari bie në tokë i kthyer me fytyrë nga rruga kryesor. Ndërsa plumbi e ka kapur në pjesën e djathtë të fytyrës. Qitja ka qenë zhurmë e mbytur që dyshohet të jetë bërë me pistoletë apo sniper nga lartësia. Por hetuesit ende nuk kanë arritur të gjejnë ndërtesën nga ku mund të ketë qenë pozicionuar autori.
Kërkimet vijojnë, ndërsa familjarët e biznesmenit që operonte në fushën e ndërtimit, kanë deklaruar se 52 vjeçari nuk ka pasur konflikt me askënd. Reçi ka mbajtur më parë edhe postin e drejtorit në një prej drejtorive të Shërbimit Informativ Shtetëror. Versus.al







