Elbasan- Gjykata ka lënë në burg Xhino Agon dhe Kujtim Pishën, dy prej të arrestuarve lidhur me atentatin e mbrëmjes së 30 nëntorit ku mbeti i vrarë biznesmeni Edmond Mëhalla.
Ago, ish-ortak me të ndjerin dyshohet se ka patur mosmarrëveshje në biznes dhe për shkak të kësaj, ka siguruar kushtet për autorët që kryen vrasjen. Ndërsa Kujtim Pisha, është roja i karburantit “Xhaxhi Oil” që është nën pronësinë e biznesmenit të vrarë. Pisha akuzohet se ka penguar zbardhjen e së vërtetës duke mos dhënë dëshmi për vrasjen e ndodhur.
Seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Ndërsa prokuroria ka depozituar një kërkesë të veçantë për masë sigurie për të arrestuarin Nevzat Spaho i cili dyshohet se ka qenë ekzekutori i biznesmenit. Pritet që gjyqi ndaj tij të zhvillohet gjatë fundjavës.
Në kërkim janë edhe dy persona të tjerë të cilët dyshohen si pjesëmarrës në atentat, Marsel Arani e Armando Kola. Versus.al


