Arbër Çekaj, biznesmeni shqiptar dhe pronari i kompanisë së importit të bananeve “Arbri Garden”, është dënuar me 14 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Ai u shpall fajtor për organizimin e trafikut të 613 kilogramëve kokainë nga Ekuadori në Shqipëri, një nga sasi më të mëdha të sekuestruara ndonjëherë në vend.
Vendimi u dha nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), e cila fillimisht e dënoi Çekajn me 21 vite burg. Megjithatë, për shkak të pranimit të akuzës dhe përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu reduktua në 14 vite .
Ngarkesa me kokainë u zbulua në mars 2018 në portin e Durrësit, e fshehur në kontejnerë me banane të importuara nga kompania e Çekajt. Pas zbulimit të drogës, Çekaj u arratis në Gjermani, ku u arrestua dhe më pas u ekstradua në Shqipëri .
Përveç Çekajt, edhe menaxheri i kompanisë, Donaldo Lushaj, dhe shoferi Armando Pezaku u dënuan për përfshirje në këtë trafik droge, duke marrë përkatësisht 10 vite e 8 muaj dhe 8 vite e 8 muaj burg, pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar . /Versus.al/







