AKTUALITET /

Zgjedhjet në Kosovë, pas votimit Albin Kurti u bën apel qytetarëve: Sot vendosin ata që votojnë

Ai u sugjeroi votuesve të verifikojnë paraprakisht vendvotimin në faqen e KQZ-së, duke theksuar se “sot vendosin ata që votojnë”

Shkruar nga Versus

Zgjedhjet në Kosovë, pas votimit Albin Kurti u bën apel

Pas votimit, Kurti e cilësoi 7 qershorin si një ditë të bukur dhe të rëndësishme dhe u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime.

Ai u sugjeroi votuesve të verifikojnë paraprakisht vendvotimin në faqen e KQZ-së, duke theksuar se “sot vendosin ata që votojnë”.

Mbi 2 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare që mbahen sot në Kosovë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lista e votuesve përfshin 2.092.174 shtetas, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Nga ky numër, 1.959.962 qytetarë votojnë brenda Kosovës, ndërsa 132.212 janë regjistruar për të votuar jashtë vendit. KQZ bën të ditur se 22.685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.

Procesi zhvillohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime, ndërsa diaspora ka votuar një ditë më parë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme organizohen pas dështimit të Kuvendit për të gjetur konsensusin për zgjedhjen e presidentit.

Këto janë zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.

Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave, shumicën më të madhe në Kosovën shtet, nuk sollën marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.Versus.al

 

Poll