
Policia Federale belge dhe Europol kanë paralajmëruar rritjen e ndikimit të rrjeteve kriminale shqipfolëse në trafikun ndërkombëtar të kokainës, si dhe në strukturat e ekonomisë së ligjshme në disa shtete evropiane.
Sipas një dosjeje hetimore dhe dokumenteve gjyqësore të analizuara nga mediat belge, këto grupe dyshohet se janë shndërruar në struktura të organizuara dhe të sofistikuara, me shtrirje të gjerë në territorin evropian, përfshirë Belgjikën, ku aktiviteti i tyre është monitoruar prej vitesh nga njësitë e specializuara.
. Në përgjim ai dëgjohet duke thënë: “Që tani e tutje nuk do të flasim më për para, por për pasuri”, duke iu referuar kalimit nga fitimet cash në investime afatgjata në prona dhe asete.
Ai shton gjithashtu se grupi i tij ka arritur një nivel të caktuar ekonomik dhe se përballja me dënime të mundshme nuk përbën pengesë: “Kemi arritur në pikën kur të gjithë kemi shtëpi dhe toka… çfarëdo që të ndodhë, do të rri katër muaj në burg”, dëgjohet të thotë ai në përgjim.
Ky material është pjesë e një hetimi të gjerë të zhvilluar nga Policia Gjyqësore Federale e Louvain-it, i cili në shkurt 2019 çoi në një operacion të koordinuar ndaj një organizate të përbashkët belge–shqiptare, e dyshuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Gjatë atij operacioni u zbuluan pesë plantacione kanabisi në disa lokacione, përfshirë një plantacion me rreth 1.000 bimë në ambientet e një klubi nate në rrugën Aerschot në Bruksel. Hetimet zbuluan një rrjet të mirëorganizuar që vepronte në disa nivele, nga kultivimi deri te shpërndarja dhe financimi i aktivitetit kriminal.
Në janar 2020, Gjykata Penale e Louvain-it dënoi 12 të pandehur, nga të cilët tetë ishin shtetas shqiptarë, me dënime që varionin nga 18 muaj deri në 6 vjet burgim. Ky vendim konsiderohet si një nga rastet më të rëndësishme në goditjen e këtij lloj aktiviteti në Belgjikë.
“Rrjete komplekse dhe të sofistikuara”
Sipas raportimeve dhe analizave të mbledhura nga gazeta belge Le Soir, në bashkëpunim me Knack dhe RTBF, ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një fenomeni më të gjerë kriminal që përfshin disa dosje hetimore dhe vendime gjyqësore, disa prej të cilave mbeten ende konfidenciale.
Gazetarët kanë analizuar mijëra faqe dokumente gjyqësore dhe kanë intervistuar magjistratë, hetues, diplomatë dhe ekspertë të pastrimit të parave, të cilët përshkruajnë një kriminalitet të organizuar që funksionon në mënyrë të fshehtë, por me ndikim të dukshëm destabilizues.
Sipas Policisë Federale belge, organizatat kriminale shqipfolëse janë të pranishme në të gjithë territorin e vendit dhe kanë arritur të depërtojnë edhe në sektorë të ekonomisë së ligjshme përmes investimeve dhe pastrimit të parave.
Zëdhënësja e Policisë Federale, An Berger, deklaron se analizat më të fundit tregojnë një rritje të ndikimit dhe fuqisë së këtyre rrjeteve. Sipas saj, këto grupe po strukturohen gjithnjë e më shumë dhe po bashkërendojnë aktivitetet e tyre në rrjete komplekse, veçanërisht në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe në kultivimin e kanabisit.
Ndërkohë, drejtori gjyqësor i Policisë Federale në Liège, François Farcy, i konsideruar si një nga ekspertët kryesorë të këtij fenomeni në Belgjikë, e përshkruan situatën si gjithnjë e më shqetësuese.
Sipas tij, grupet kriminale shqiptare janë konsoliduar në mënyrë të qëndrueshme dhe kanë zgjeruar ndikimin e tyre në disa vende, duke u bërë aktorë të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar të drogës dhe në pastrimin e parave.
“Janë bërë më të fuqishme dhe përbëjnë një kërcënim ndërkombëtar. Sot negociojnë si të barabartë me organizata si ‘Ndrangheta’ apo kartelet meksikane. Nuk janë më thjesht hallka të vogla, por aktorë të plotë në tregun global të narkotikëve”, deklaron ai.
Hetimet vijojnë në disa drejtime, ndërsa autoritetet belge dhe europiane theksojnë se monitorimi i këtyre rrjeteve mbetet prioritet për luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.Versus.al

