AKTUALITET /

6 mbikalime për këmbësorët në kilometrat e parë të autostradës Tiranë–Durrës, ARRSH hap procedurën

Procedura e tenderimit për këtë projekt pritet të mbyllet më 15 qershor, ndërsa pas shpalljes së fituesit, punimet do të nisin në terren

Shkruar nga Versus

6 mbikalime për këmbësorët në kilometrat e parë

Gjashtë mbikalime për këmbësorët do të ndërtohen përgjatë kilometrave të parë të autostradës Tiranë–Durrës, në kuadër të një projekti që synon rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e lëvizjes së banorëve të zonës.

Pas përfundimit të punimeve për zgjerimin e aksit rrugor, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur procedurat për realizimin e elementëve të tjerë të projektit, të fokusuar kryesisht në përmirësimin e aksesit për komunitetet që jetojnë përgjatë autostradës.

Sipas projektit, ndërtimi i këtyre mbikalimeve do t’u mundësojë banorëve kalim më të sigurt dhe më të lehtë, përmes pikave të dedikuara të kalimit, duke shmangur rreziqet në një nga akset më të ngarkuara rrugore në vend.

Procedura e tenderimit për këtë projekt pritet të mbyllet më 15 qershor, ndërsa pas shpalljes së fituesit, punimet do të nisin në terren.

Përveç ndërtimit të 6 mbikalimeve, projekti parashikon edhe një sërë ndërhyrjesh shtesë, përfshirë instalimin e sistemit të ndriçimit, gjelbërimin e zonave përreth, vendosjen e barrierave akustike si dhe ndërhyrje të tjera infrastrukturore.

Sipas projektit të ARRSH-së, mbikalimet do të vendosen në disa pika përgjatë segmentit: pranë objektit të VEKO Group, rreth 50 metra pas Universitetit “Polis”, në zonën e Yrshekut, si dhe pranë QTU-së, BRUNES, përpara objektit të FedEx Albania dhe në afërsi të Autostar.

Gjatë një inspektimi të punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se garantimi i aksesit për banorët është një nga prioritetet kryesore të projektit dhe një element i rëndësishëm i zbatimit të tij.Versus.al

 

Poll