
Policia e Durrësit ka goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë një 20-vjeçar që dyshohet se shiste drogë në ambientet e një “PlayStation”-i ku ishte i punësuar.
Aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit të koduar “PlayStation”, i organizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Operacionale.
Në pranga ra shtetasi D. M., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili sipas hetimeve ushtronte aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Policia dyshon se ai tregtonte kokainë, heroinë dhe kanabis në ambientin ku punonte.
Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 69 doza kokainë (crack), 23 doza heroinë, si dhe një sasi kanabisi.
Sipas policisë, arrestimi u bë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe dokumentimit të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve dhe veprimet e mëtejshme ligjore.Versus.al

