AKTUALITET /

Zjarret përfshijnë jugun e vendit: Evakuime masive në Borsh, dëme të mëdha në Delvinë dhe Prespë

Gjendja kritike vijon edhe në fshatrat Sasaj dhe Piqeras, ku është intensifikuar ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore për të frenuar përhapjen e flakëve.

Shkruar nga Versus
Zjarret përfshijnë jugun e vendit: Evakuime masive në Borsh,
Pamje nga Borshi pas shuarjes së zjarreve

Situata me zjarret në jug të Shqipërisë është përkeqësuar ndjeshëm, me Borshin që paraqet një nga vatrat më problematike.

Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe i janë afruar rrezikshëm zonës turistike dhe plazhit, duke detyruar autoritetet të mbyllin rrugën kryesore Himarë–Sarandë.

Për arsye sigurie, është kryer evakuimi i banorëve dhe turistëve nga banesat dhe hotelet në zonë.

Gjendja kritike vijon edhe në fshatrat Sasaj dhe Piqeras, ku është intensifikuar ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore për të frenuar përhapjen e flakëve.

Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, informoi përmes një postimi se në Borsh janë krijuar perimetra sigurie përreth banesave gjatë natës, ndërsa Policia e Shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 40 qytetarëve nga zonat më të rrezikuara.

Një tjetër vatër serioze është regjistruar në Parkun Kombëtar të Prespës në Pustec, ku janë djegur sipërfaqe të mëdha pyjore. Sipas kryebashkiakut të Pustecit, Pali Kolefski, po hetohet nëse zjarri është i qëllimshëm, ndërsa ndërhyrja vështirësohet nga terreni malor.

Edhe në zonën e Shashicës në Vlorë flakët rrezikojnë disa banesa dhe katër familje janë evakuuar. Zjarri është afruar pranë landfillit të Sherishtës, duke shtuar rrezikun për përhapje të mëtejshme.

Në Qafën e Buallit dhe zonat përreth në Bulqizë e Klos, situata ka kërkuar ndërhyrje emergjente nga ajri me helikopterë të ushtrisë, ndërsa forcat e terrenit përpiqen të vendosin kontrollin.

Në Matogjin të Selenicës, flakët po i afrohen banesave, duke detyruar autoritetet të kërkojnë ndërhyrje shtesë. Në Paftal të Beratit, pas përhapjes së zjarrit nga mali i Shpiragut, janë evakuuar banorët.

Ndërkohë, situata është vënë nën kontroll në fshatin Kopaçëz të Delvinës, por dëmet janë të rënda: tetë banesa janë djegur plotësisht dhe banorët përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Dëme të mëdha janë regjistruar edhe në fshatrat Vergo, Palavli dhe Senicë, me rreth 30 banesa dhe biznese të prekura, si dhe dëmtimin e rëndë të kishës 200-vjeçare të Shën Dhimitrit.

Për përballimin e situatës, Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar dronë Bayraktar TB2 për monitorim ajror, ndërsa janë vënë në funksion edhe katër helikopterë nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile. Autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm./Versus.al

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Versus.al (@versusalbania)

Poll