
Zjarri që përfshiu një pallat 12-katësh në kompleksin “Arlis”, pranë “Farmacia 10” në Tiranë, po nxjerr në pah jo vetëm dëmet e mëdha materiale, por edhe dyshime serioze për shkelje të rënda të sigurisë jo vetëm nga ndëtuesit por edhe nga bizneset në zonë.
Pamjet e publikuara tregojnë qartë se flakët kanë nisur në katin përdhe, në zonën ku ishin grumbulluar kartonë dhe mbetje pranë ambienteve të “Big Market”.
Brenda pak minutash, zjarri u përhap me shpejtësi drejt fasadës, duke përfshirë dhjetëra apartamente dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturën e godinës.
Përtej pamjeve dramatike, ngrihen pikëpyetje të forta mbi masat e sigurisë që duhej të ishin marrë nga biznesi në fjalë.
Sipas legjislacionit shqiptar për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, çdo subjekt tregtar është i detyruar të pajiset me mjete kundër zjarrit, përfshirë fikëset funksionale, si dhe të garantojë kushte të sigurta për parandalimin e rreziqeve.
Ligji Nr. 152/2015 parashikon:
Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin detyron pronarët dhe shfrytëzuesit e objekteve tregtare të marrin masa konkrete për parandalimin e zjarrit. Këto përfshijnë instalimin e sistemeve hidrike funksionale, pajisjen me mjete fikëse dhe stabilimente për shuarjen e zjarrit, si dhe planifikimin e fondeve për këto masa.
Detyrimet kryesore
Pajisje fikëse: Bizneset obligohen të posedojnë pajisjet dhe mjetet e nevojshme për fikjen e zjarrit, të vendosura në vende të aksesueshme.
Projekte mbrojtjeje: Për çdo objekt tregtar, kërkohet projekti i mbrojtjes nga zjarri para lejes së ndërtimit ose shfrytëzimit.
Inspektim dhe gatishmëri: Bashkitë dhe inspektorati verifikojnë zbatimin, duke refuzuar lejet nëse nuk plotësohen standardet.
Shkeljet dënohen me masa administrative ose penale, duke theksuar përgjegjësinë e subjekteve private.
Por në këtë rast, mbetet e paqartë nëse “Big Market” kishte të instaluara dhe funksionale këto mjete bazë sigurie në momentin e ngjarjes.
Nga e gjitha ngjarja u ndaluan, inxhinieri i kompanisë, Enver Ademi, kontraktori që bëri fasadën Altin Furtuna, menaxherja e Big Market, Razie Sula si dhe administratori i pallatit Agron Carame, që më pas u lanë në detyrim paraqitje.
Fillimisht policia e referoi dosjen e tyre me akuzën për veprën penale “shkelje e rregullave teknike të sigurimit në punë”, ndërsa prokuroria e rikualifikoi veprën penale në gjykatë si ‘zjarrvënie nga pakujdesia’ duke lehtësuar kushtet e personave të ndaluar.
Kjo situatë ngre dyshime të forta për neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie, në një kohë kur pasojat ishin dramatike: rreth 30 apartamente të shkrumbuara dhe dhjetëra familje të mbetura pa strehë.
Ngjarja e “Arlis” rrezikon të mbetet një tjetër shembull ku reagimi vjen pas katastrofës, ndërsa kontrolli dhe zbatimi i ligjit mungojnë aty ku duhet më shumë: në parandalim./Versus.al

