Shkodër- Policia ka gjetur dhe asgjësuar 2200 bimë narkotike kanabis të kultivuara në fshatin Vig në dy plantacione të ndryshme.
Zonat ishin shpyllëzuar me qëllim krijimin e ambientit të përshtatshëm për kultivimin e kanabisit.
“Si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të planit operacional që është hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për të evidentuar dhe goditur që në fazë fillestare, tentativat për kultivim të bimëve narkotike, në të gjithë territorin e vendit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, me përdorimin e dronit, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë evidentuar në dy zona të shpyllëzuara në territorin e fshatit Vig, 2200 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në tokë dhe 578 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa të kultivuar në kubikë”- njofton policia ndërkohë që vijojnë kërkimet për kapjen e kultivuesve.
Një pjese e bimëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie. Ndërsa operacioni do të shtrihet në gjithë vendin për goditjen e kultivimit të kanabisit. Versus.al








