Të paktën 25 persona kanë vdekur dhe më shumë se 800 janë plagosur, sipas raportit të fundit mbi shpërthimin e fuqishëm që tronditi portin Shahid Rajaee, qendra më e madhe e trajtimit të mallrave në Iran, pranë Bandar Abbas, të shtunën në mëngjes. Shpërthimi shkaktoi dëme të shumta në ndërtesa dhe automjete, ndërsa banorët thanë se e ndjenë valën goditëse edhe 50 kilometra larg.
Videot tronditëse tregojnë zjarrin të ndezur para shpërthimit të frikshëm, me qytetarët që vrapojnë për të shpëtuar jetën dhe të plagosurit në rrugë, mes reve të dendura tymi dhe mbeturinash. "Depoja ishte e mbushur me tym dhe hi. "Nuk mbaj mend nëse shkova vetëm nën tavolinë apo nëse shpërthimi më hodhi atje," tha një dëshmitar për televizionin shtetëror iranian.
Flakët u përhapën me shpejtësi në kontejnerë me materiale të ndezshme, ndërsa pamjet ajrore treguan tre zjarre që digjen jashtë kontrollit. Ministri i Brendshëm i Iranit konfirmoi se zjarri u përhap nga kontejneri në kontejner, ndërsa autoritetet urdhëruan mbylljen e shkollave dhe shërbimeve publike të dielën.
Sipas kompanisë private Ambrey Intelligence, zjarri është shkaktuar nga keqpërdorimi i një ngarkese me karburant të ngurtë të destinuar për raketa balistike. I njëjti burim kujtoi se në mars 2025, një anije iraniane u regjistrua duke shkarkuar një ngarkesë me perklora të natriumit, karburant raketash, në të njëjtin port.








