
Një dron ka goditur centralin bërthamor të Zaporizhias në jug të Ukrainës, impianti më i madh bërthamor në Evropë, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse që prej marsit të vitit 2022.
Lajmi është konfirmuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), e cila bëri të ditur se sulmi ka prekur një ndërtesë që strehon turbinat e centralit.
“Sot një dron goditi një ndërtesë që strehon turbinat në kompleksin e centralit, duke shkaktuar sipas informacioneve paraprake një çarje në murin e saj”, deklaroi AIEA në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale.
Drejtori i Përgjithshëm i AIEA-s, Rafael Grossi, reagoi menjëherë duke dënuar çdo veprim ushtarak që mund të rrezikojë sigurinë e një centrali bërthamor.
“Nuk duhet të ketë asnjë sulm, nga apo kundër një centrali bërthamor. Sulmet ndaj objekteve bërthamore janë një lojë me zjarrin”, paralajmëroi Grossi.
Pas incidentit, Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për përgjegjësinë e sulmit.
Korporata shtetërore ruse e energjisë bërthamore, Rosatom, pretendon se bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm nga forcat ukrainase. Sipas saj, droni përdorte një sistem drejtimi me kabllo fibër optike, çka sipas autoriteteve ruse përjashton mundësinë e një goditjeje aksidentale.
Kreu i Rosatom, Alexey Likhachev, paralajmëroi se bota mund të jetë afruar rrezikshëm pranë një incidenti me pasoja që do të shkonin përtej kufijve të Rusisë dhe Ukrainës.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Ukrainës i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat e Moskës, duke i cilësuar ato si pjesë të një fushate dezinformimi.
“Nuk ka asnjë logjikë që Ukraina të sulmojë centralin e saj bërthamor, i cili ndodhet në territorin e saj dhe që synon ta rikthejë nën kontrollin sovran”, thuhet në reagimin zyrtar të Kievit.
Sipas informacioneve të deritanishme, goditja ka shkaktuar dëmtime në murin e sallës së makinerive, por nuk ka prekur sistemet kryesore apo pajisjet kritike të centralit.
Që prej pushtimit rus të Ukrainës, centrali i Zaporizhias ka qenë vazhdimisht në qendër të shqetësimeve ndërkombëtare për sigurinë bërthamore. Moska dhe Kievi kanë akuzuar vazhdimisht njëri-tjetrin për veprime që mund të shkaktojnë një katastrofë bërthamore në rajon, ndërsa AIEA ka bërë thirrje të përsëritura për respektimin e një zone sigurie rreth impiantit.

