MAGAZINË /

Sa 300 ton tritol... Misteri i shpërthimit që tronditi SHBA-në, NASA: Meteori gjigant shpërtheu në atmosferë

Banorët në disa shtete dëgjuan dy shpërthime të fuqishme dhe ndien lëkundje si tërmet, por shkaku rezultoi të ishte një trup qiellor që u copëtua në atmosferë

Shkruar nga Versus

Sa 300 ton tritol... Misteri i shpërthimit që tronditi SHBA-në,

Një zhurmë e fortë e shoqëruar me dy shpërthime të njëpasnjëshme alarmoi banorët në disa shtete të verilindjes së Shteteve të Bashkuara të shtunën pasdite, duke shkaktuar konfuzion dhe duke vënë në lëvizje policinë dhe autoritetet lokale për të zbuluar origjinën e fenomenit.

Pas hetimeve, ekspertët konfirmuan se shkaku nuk ishte një shpërthim industrial, as një tërmet dhe as mbetje hapësinore artificiale. Sipas Shoqatës Amerikane të Meteorëve dhe NASA-s, zhurmat u shkaktuan nga një meteor rreth 1 metër i gjerë që hyri në atmosferën e Tokës pranë kufirit mes shteteve të New Hampshire dhe Massachusetts, në veri të Bostonit.

NASA bëri të ditur se meteori hyri në atmosferë në orën 14:06 sipas kohës lokale dhe lëvizte me një shpejtësi marramendëse prej rreth 120.700 kilometrash në orë.

Sipas ekspertëve, trupi qiellor u shpërbë rreth 60 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, duke çliruar një energji të barabartë me afro 300 ton TNT. Pikërisht ky shpërthim në lartësi të madhe shkaktoi dy “boom”-et e fuqishme që u dëgjuan në një zonë të gjerë.

Shoqata Amerikane e Meteorëve mori dhjetëra raportime nga qytetarë në disa shtete, nga Delaware deri në Montreal të Kanadasë. Disa persona raportuan se dëgjuan shpërthimet, të tjerë ndien lëkundje të ngjashme me tërmetin, ndërsa shumë dëshmitarë panë një top të zjarrtë në qiell, të ngjashëm me një yll që bie gjatë ditës.

“Ky ishte dukshëm më i madh se një meteor i zakonshëm. Dukej si një top i madh zjarri në qiell”, deklaroi Robert Lunsford nga Shoqata Amerikane e Meteorëve.

Megjithatë, ekspertët besojnë se meteori nuk ka goditur tokën. Nëse ndonjë fragment i tij i ka mbijetuar hyrjes në atmosferë, ka shumë gjasa që të ketë përfunduar në oqean.

Fenomeni shkaktoi panik të përkohshëm në disa qytete, ku banorët raportuan në rrjetet sociale se ndërtesat u drodhën nga vala goditëse. Disa prej tyre njoftuan edhe Shërbimin Gjeologjik Amerikan (USGS), duke menduar fillimisht se bëhej fjalë për një tërmet.

Megjithatë, sizmografët nuk regjistruan asnjë aktivitet sizmik, duke konfirmuar se lëkundjet nuk kishin lidhje me ndonjë tërmet, por ishin pasojë e shpërthimit të meteorit në atmosferë.

Ngjarja konsiderohet një fenomen i rrallë astronomik, i cili për shkak të energjisë së madhe të çliruar u ndje në një zonë shumë më të gjerë sesa zakonisht ndodh me meteorët që hyjnë në atmosferën e Tokës.

Poll