Një grua në Spanjë është arrestuar pasi i ka shitur fëmijën e saj për 2000 euro një çifti që kishte “probleme fertiliteti” përpara se të pendohej dhe të përpiqej ta kthente, tha sot policia.
37-vjeçarja u arrestua në mars në Mostoles, në periferi të Madridit, tha policia në një deklaratë, ndërsa çifti që mori foshnjën, si dhe dy nga të afërmit e tyre, u arrestuan gjithashtu në Cordoba, në Spanjën jugore.
Nga hetimet paraprake u zbulua se nëna i shiti çiftit të porsalinduren për 2000 euro, por më pas “u pendua që e shiti vajzën” dhe kërkoi ta merrte mbrapsht. Çifti refuzoi, pasi nëna nuk do të kthente çmimin e shitjes së foshnjës dhe as 1000 eurot që kishte shpenzuar për shpenzimet e saj të akomodimit për një muaj në Kordoba. Nëna biologjike kishte shkuar në qytetin ku ndodheshin blerësit për të sjellë në jetë fëmijën e saj atje.
Hetimi nisi kur 37-vjeçarja, tashmë nënë e gjashtë fëmijëve të tjerë, të cilëve iu hoq kujdestaria në vitin 2022 pas një raportimi të shërbimeve sociale për “neglizhencë”, ngriti një padi, duke pretenduar se një familje në Kordoba i kishte “rrëmbyer” foshnjën.
Kujdesi për foshnjën iu besua një qendre për mbrojtjen e fëmijëve në Kordoba.








