
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Francën, ku një vajzë 23-vjeçare është arrestuar në qytetin e Tuluzës pasi u paraqit në një spital universitar me trupin e pajetë të një foshnjeje të fshehur në çantë shpine.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 22 dhjetorit, rreth orës 11:00. Sipas autoriteteve, e reja u shfaq e hutuar dhe e paaftë për të formuluar fjali të qarta në momentin e hyrjes në spital. Mjekët, pasi konstatuan situatën, njoftuan menjëherë policinë.
Sipas mediave franceze, 23-vjeçarja fillimisht u ka thënë mjekëve se çanta i ishte dhënë nga një shoqe, pa e ditur përmbajtjen e saj. Ajo ka deklaruar se shoqja i kishte kërkuar të “hiqte qafe” çantën, pa i treguar se çfarë kishte brenda. Vetëm pasi e kishte hapur, ajo kishte zbuluar trupin e pajetë të foshnjës dhe e tronditur, ishte drejtuar në spital.

Hetuesit dyshojnë se foshnja kishte ndërruar jetë disa orë para se e reja të paraqitej në spital. Trupi i të porsalindurit është dërguar në morg dhe autoritetet kanë njoftuar se do të kryhet autopsia për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Sipas policisë, 23-vjeçarja dyshohet se është në fakt nëna e foshnjës. Ajo ka deklaruar se e ka lindur fëmijën e vetme në banesë, pa ndihmën e askujt, dhe se foshnja kishte lindur pa shenja jete më 21 dhjetor. Ajo ka mohuar se e ka vrarë të porsalindurin.
Megjithatë, autoritetet franceze shprehen skeptike për versionin e saj dhe nuk besojnë në ekzistencën e një personi të tretë, megjithëse hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet mundësia që ajo të ketë pasur ndihmë gjatë lindjes ose në fshehjen e trupit.
23-vjeçarja ndodhet aktualisht në paraburgim, ndërsa rezultatet e autopsisë pritet të hedhin dritë mbi këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik në Francë.

