Komisioni Europian ka shpërfillur hapur kërcënimet e Donald Trump dhe ka vendosur këtë të premte, më 5 shtator 2025, një gjobë të paprecedent prej 2.95 miliardë euro ndaj Google, duke e akuzuar gjigantin amerikan të teknologjisë për abuzim me pozitën dominuese në sektorin e reklamave online (AdTech).
Kjo gjobë ishte shumë e pritur nga publiku dhe sektorët rregullatorë, veçanërisht pasi Brukseli kishte kërcënuar që në vitin 2023 se mund të kërkonte edhe ndarjen e aktiviteteve të Google në sektorin e reklamave, një hap që nuk u ndërmor për momentin, por që mbetet në tryezë.
Përplasja me SHBA-në dhe Trump
Vendimi i BE-së u vonua me disa ditë për shkak të tensioneve diplomatike me SHBA-në. Më 26 gusht, Donald Trump lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj vendeve që rregullojnë tregun e teknologjisë, duke kërcënuar me tarifa të reja doganore dhe kufizime eksporti.
Megjithatë, Brukseli reagoi me qëndrimin se ka “të drejtën sovrane për të rregulluar sektorin e teknologjisë”, duke mos u tërhequr nga vendimi ndaj Google.
"Breshëri" goditjesh për Google
Kjo është vetëm një nga tri goditjet që Google ka marrë këtë javë në nivel global:
Në SHBA, kompania është dënuar të paguajë 425.7 milionë dollarë për mbledhje të paligjshme të të dhënave të përdoruesve, pas një vendimi të një gjykate federale në San Francisko.
Në Francë, autoriteti për mbrojtjen e të dhënave (CNIL) e dënoi Google me 325 milionë euro gjobë për shkelje në përdorimin e cookies dhe reklamave digjitale.
Në një rast tjetër në SHBA, një gjykatë në Uashington vendosi masa për ndarjen e të dhënave nga Google për të përmirësuar konkurrencën në tregun e kërkimeve, por nuk pranoi kërkesën për ta detyruar kompaninë të heqë dorë nga shfletuesi Chrome.
Reagimi i Google
Në një deklaratë për AFP, Google e cilësoi vendimin e BE-së si të padrejtë dhe të dëmshëm për ekonominë europiane.
“Vendimi për shërbimet tona AdTech është i gabuar dhe do ta apelojmë. Gjobat dhe ndryshimet e kërkuara do t’u vështirësojnë jetën mijëra bizneseve europiane,” – tha Lee-Anne Mulholland, zëvendës presidente për çështjet rregullatore në Google.
Analistët vlerësojnë se vendimi i BE-së mund të shënojë një pikë kthese në marrëdhëniet mes BE-së dhe gjigantëve amerikanë të teknologjisë, përballë një politike gjithnjë e më agresive nga SHBA-ja nën drejtimin e Donald Trump.







