Vetëm pak orë pasi plumbi fatal i mori jetën aktivistit konservator Charlie Kirk, një bisedë e çuditshme dhe e frikshme zhvillohej në një grup privat në rrjetin social Discord. Atje, Tyler Robinson, 22 vjeç, i dyshuari kryesor për vrasjen, jo vetëm që nuk shfaqte shenja pendimi, por bënte shaka për atë që sapo kishte ndodhur.
“Nuk isha unë, ishte sozia ime,” shkroi ai me ironi, pasi një nga përdoruesit në grup e “etiketoi” si autorin. Të tjerë bënin shaka për shpërblimin prej 100 mijë dollarësh që FBI-ja kishte ofruar për kapjen e autorit. Robinson, nga ana tjetër, u përgjigj i qetë: “Vetëm nëse marr një pjesë të pagesës.”
Dhe e gjitha ndodhi përmes ekranit – në një bisedë mes 20 personash, ish-shokë shkolle dhe njohës nga komunitetet online.
Sipas The New York Times, Robinson shfaqej i vetëdijshëm për hetimet dhe shfaqte një lloj kënaqësie të heshtur nga vëmendja që po merrte. Ai shpërndante meme, komentonte ngjarjen si të ishte spektakël, dhe në një moment shkroi: “Unë në fakt jam Charlie Kirk. Doja të largohesha nga politika, kështu që falsifikova vdekjen time. Tani mund të jetoj jetën e ëndrrave të mia në Kansas.”
Këto deklarata vijnë ndërsa media konservatore përmbytej nga homazhe për 31-vjeçarin Kirk, bashkëthemelues i lëvizjes Turning Point USA, i cili u qëllua për vdekje gjatë një eventi në Universitetin e Luginës së Utah, ku po diskutonte me të rinj.
Sipas autoriteteve, i dyshuari qëlloi nga çatia e një ndërtese, qindra metra larg vendit të ngjarjes, dhe më pas u largua. FBI publikoi pamjet e kamerave të sigurisë ku shihej një i ri me syze dhe kapele duke ecur në shkallët e universitetit, por emri i tij nuk ishte zbuluar ende. Ndërkohë, në prapaskenë, Robinson tallej me kërkimet dhe lajmet.
Ai u dorëzua disa orë më vonë në jugperëndim të Utah, tre orë larg vendit të ngjarjes. Familja e tij, pasi mësoi për përfshirjen e djalit, e bindi të dorëzohej.
Prokurorët pritet të ngrejnë akuza zyrtare për vrasje të rëndë dhe përdorim të armës së zjarrit në kryerjen e krimit.







