
Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale, ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin “X” lidhur me mbajtjen e Hashim Thaçit në paraburgimin e Hagës.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Grenell shkruan se arrestimi i Thaçit ka ndodhur në vitin 2020 në kohën kur administrata e Trump po angazhohej fuqimisht për të arritur një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.
“Jack Smith (po, ai) e arrestoi Hashim Thaçin në vitin 2020, në kohën kur Donald Trump ishte duke punuar për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Është e turpshme që ai ende gjendet në burg. Është një mashtrim. Haga është rrënuar”, ka shkruar Grenell.
Thaçi u arrestua pak javë para se Serbia dhe Kosova të nënshkruanin marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë ku Vuçiç dhe Avdullah Hoti u ulën krah Donald Trump në 2020-ën. Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë, Thaçi tha se ndaj tij po bëhej një padrejtësi duke i marrë vitet më të bukura të jetës. Versus.al







