Nëntë pasagjerë u plagosën, përfshirë një fëmijë 2-vjeçar, gjatë një fluturimi nga Berlini drejt Milanos, pasi avioni u përball me turbulenca të forta në jug të Gjermanisë. Ngjarja ndodhi teksa avioni kalonte përmes një stuhie të befasishme, duke shkaktuar panik të madh mes udhëtarëve.
Sipas dëshmitarëve, goditjet ishin aq të fuqishme sa disa pasagjerë u ngritën nga vendet dhe u përplasën në tavanin e kabinës. Një grua u dëmtua në kokë, një tjetër u ankua për dhimbje shpine, ndërsa një fëmijë i vogël u raportua me mavijosje. Pasagjerët pretenduan se nuk kishte paralajmërim të mjaftueshëm për vendosjen e rripave të sigurimit.
Avioni, që mbante 179 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit, bëri ulje emergjente në aeroportin e Memmingenit. Policia konfirmoi se tre persona u dërguan në spital, ndërsa të tjerët morën ndihmë në aeroport.
Kompania ajrore kërkoi falje për incidentin dhe organizoi një fluturim zëvendësues për të vijuar udhëtimin drejt Milanos. /Versus.al/







