
Zëvendës presidentja e SHBA, Kamala Harris ka siguruar mbështetjen e mjaft delegatëve demokratë për t'u bërë kandidatja e partisë së saj kundër republikanit Donald Trump, sipas një sondazhi të Associated Press, ndërsa demokratët kryesorë u shfaqën në krah të saj pas vendimit të Presidentit Joe Biden për të hequr dorë nga kandidimi për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Bashkimi i shpejtë pas Harris shënoi një përpjekje të partisë për të lënë pas disa javë drame të brendshme mbi të ardhmen politike të Biden-it dhe për t'u bashkuar pas detyrës për të mposhtur Trumpin me pak më shumë se 100 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Të zgjedhurit demokratë, liderët e partive dhe organizatat politike u rreshtuan shpejt pas Harris një ditë pas daljes së Biden nga gara dhe fushatës së saj vendosën një rekord të ri 24 orësh për donacionet presidenciale të hënën.
Disa delegacione shtetërore u takuan të hënën vonë për të konfirmuar mbështetjen e tyre për Harris, duke përfshirë Teksasin dhe shtetin e saj në Kaliforni. Deri të hënën mbrëma, Harris kishte mbështetjen e më shumë se 1,976 delegatëve që do t'i duhen për të fituar në një votim të parë, sipas raportit të AP.
Duke folur me stafin e fushatës në Ëilmington, Delaëare, Harris pranoi rënien e demokratëve në sondazhe përgjatë këtyre javëve të fundit por u shpreh besimplotë se do ia dilte ta kthente rezultatin në favor të saj.
“Është qëllimi im të dal dhe të fitoj” tha ajo. Ajo premtoi se do të bashkojë partinë demokratike.
Teksa solli në vëmendje edhe rolin që më herët kishte pasur si prokurore në paditjen e mashtruesve dhe abuzuesve seksualë, Harris tha se e njihte mirë Trumpin.
“Unë e njoh llojin e Donald Trump-it”, tha ajo – duke e paraqitur veten si një mbrojtëse e mundësive të reja ekonomike dhe aksesit për abortin. “Lufta jonë për të ardhmen është gjithashtu një luftë për liri. Shkopi është në duart tona”- u shpreh Harris ndër të tjera.
Fushata për president në SHBA ka marrë një rrjedhë tjetër pas dorëheqjes së Biden nga kandidimi për një mandat të dytë si president. Trump, i cili pa një rritje të madhe në sondazhe përballë Biden sidomos pas sulmit me armë të cilit i mbijetoi, pritet ta ketë më të ndërlikuar përballë Harris e cila duket se ka mbështetjen e shumicës së delegatëve demokratë. Versus.al








