BOTA /

Konferenca mes Kurtit dhe Mickoskit për incidentin e Shkupit, reagon Osmani: Keqardhje për mënyrën sesi u trajtua

Sipas zyrës Presidenciale, ky qëndrim mbahet, pasi mënyra e tillë e trajtimit i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës

Shkruar nga M.H
Konferenca mes Kurtit dhe Mickoskit për incidentin e Shkupit, reagon
Vjosa Osmani

Zyra e Presidencës së Kosovës ka bërë ditën e sotme një reagim, për sa i përket Konferencës së djeshme për mediat, lidhur me incidentin ndaj Republikës së Kosovës në Shkup, të cilin e quajti për të ardhur keq.

Sipas zyrës Presidenciale, ky qëndrim mbahet, pasi mënyra e tillë e trajtimit të incidentit i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës.

Në konferencën e djeshme, Kurti dhe Mickoski dënuan incidentin, ndërsa kryeministri maqedonas u shpreh se herën tjetër do e shoqëronte Osmanin personalisht deri në aeroport. Nga ana tjetër, Kurti tha se presidentja e Kosovës e përjetoi shumë keq ngjarjen pasi me të ndodheshin edhe dy vajzat e saj dhe theksoi se ngjarje të tilla nuk duhen përsëritur.

“Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, shkruhet në reagim.

“Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por perkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”, shkruhet në postim.

Sipas njoftimit, Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave.

“Siç është thënë edhe në reagimet e mëparshme, Presidentja Osmani përgjatë tërë karrierës së saj politike, e në veçanti përgjatë mandatit të saj si Presidente e vendit, ka kontribuar në zhvillimin dhe thellimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ajo nuk mund ta pranojë, në asnjë mënyrë, baltosjen e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar”, shkruhet në postim.

Rikujtojmë se, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjetuar një incident të papritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, katër ditë më parë, ku punonjësit e sigurimit të këtij aeroporti kanë tentuar ti merrnin telefonin personal të saj.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, e cilësoi më parë atë veprim si një shkelje të praktikave ndërkombëtare.

Kupina tha se, veprimet e zyrtarit të sigurimit dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident.

Ai shtoi se presidentja nuk e lejoi një gjë të tillë, pasi do të kishte qenë një shkelje e rëndë e protokollit.

 

/ Versus.al

Poll