
Naim Murseli, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, doli sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.
Gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor, Murseli tha:
“Nëse vërtetohet aktakuza ndaj meje, atëherë unë vetë do të kërkoj dënim me burgim të përjetshëm.”
Krahas tij, para trupit gjykues dolën edhe të akuzuarit e tjerë në këtë çështje: Granit Plava, i cili zgjodhi të mbrohej në heshtje, dhe Kushtrim Kokalla, i cili gjithashtu u vetëdeklarua i pafajshëm.
Ngjarja tronditëse ndodhi më 29 nëntor 2023 në Kosovë, kur Liridona Ademaj u vra me armë zjarri në rrethana që fillimisht u prezantuan si një grabitje. Hetimet zbuluan më pas një plan të dyshuar të organizuar nga vetë bashkëshorti i saj, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Për këtë rast, përveç Murselit, Plavës dhe Kokallës, është i akuzuar edhe Tom Dodaj. Procesi gjyqësor pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivet dhe rolet e secilit të përfshirë në vrasjen që tronditi opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë. Versus.al







