Pas 45 vitesh nga vrasja e Piersanti Mattarella, presidenti i atëhershëm i Sicilisë dhe vëllai i Presidentit aktual të Italisë, Sergio Mattarella, Prokuroria e Palermos ka bërë një zhvillim të rëndësishëm në hetimet e këtij rasti.
Filippo Piritore, ish-funksionar i Policisë Mobile të Palermos dhe më vonë prefekt, është vendosur nën arrest shtëpie, i dyshuar për manipulim të provave në hetimin e ngjarjes së 6 janarit 1980.
Sipas hetimeve, Piritore dyshohet se ka gënjyer gjyqtarët dhe ka falsifikuar informacion kyç mbi një provë vendimtare: doreza prej lëkure e gjetur në Fiat 127 që përdorën vrasësit e Mattarella-s, e cila më pas u zhduk në mënyrë të mistershme.
Doreza, cilësuar nga ministri i Brendshëm i kohës Virginio Rognoni si “e vetmja dhe potencialisht vendimtare”, mund të kishte çuar tek autorët e vërtetë. Sipas prokurorëve, Piritore e zhduku qëllimisht për të penguar identifikimin e përgjegjësve.
Në versionin e tij, Piritore pretendon se ia ka dorëzuar dorezën njërit nga ekspertët e policisë për t’ia dërguar prokurorit Pietro Grasso, i cili sipas tij e kishte kthyer për analiza.
Por kjo rrjedhë u konsiderua nga Prokuroria “e pabesueshme dhe e paarsyeshme”. As Grasso, as eksperti nuk kanë pranuar të kenë marrë provën, dhe nuk ekzistojnë dokumente zyrtare që të vërtetojnë dorëzimin e saj.
Hetuesit shprehen se Piritore “krijoi një aktivitet që çoi në zhdukjen e çdo gjurme”, duke fshehur dorezën dhe duke penguar hetimet për identifikimin e vrasësve.
Madje, bisedat e kapura mes Piritore dhe gruas së tij pas një interpelance në shtator 2024 tregojnë shqetësimin e tij për hetimet e rihapura.
Hetimet tregojnë se vrasja e Mattarella-s u ndikua nga ndërhyrje të brendshme që synonin fshehjen e provave.
Piersanti Mattarella u vra më 6 janar 1980 nga mafiozët si pjesë e një operacioni kriminal të lidhur me politikën dhe ndikimin e mafias në Sicili.
Mattarella ishte i njohur për përpjekjet e tij për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e mafias me politikën, duke e bërë atë një objektiv të mafias, e cila i shihte veprimin e tij si kërcënim për interesat e tyre. Vrasja e tij mbetet një nga krimet më të rëndësishme dhe të diskutueshme në historinë moderne të Italisë./Versus.al
