Përmbytje, rrëshqitje toke dhe stuhi: Shirat e rrëmbyeshëm që kanë goditur Nepalin dhe Indinë verilindore në 48 orët e fundit kanë vrarë të paktën 60 persona, kanë lënë shumë të pastrehë dhe kanë shkaktuar dëme të shumta. Këto ngjarje të rënda janë të zakonshme në Azinë Jugore gjatë sezonit të musoneve, midis qershorit dhe shtatorit, por shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike po i përkeqësojnë.
Në Nepal, shirat që filluan të premten kanë vrarë të paktën 43 persona, 37 prej tyre në provincën lindore të Ilam, sipas një bilanci të ri të njoftuar nga zëdhënësi i agjencisë kombëtare të menaxhimit të emergjencave, Shanti Mahat. 12 persona të tjerë u plagosën dhe fati i pesë të tjerëve është i panjohur në të gjithë Nepalin, sipas një bilanci ende të përkohshëm.
"Rrugët janë bllokuar, qasja është shumë e vështirë në disa zona. Ekipet e shpëtimit janë të detyruara t'i arrijnë ato në këmbë ", tha Sunita Nepal, një zyrtare në administratën e distriktit Ilam.
Në kryeqytetin Katmandu, shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan daljen e lumenjve dhe përmbytjen e zonave përreth.
Helikopterë dhe anije janë vendosur në dispozicion për të evakuuar personat e prekur. Rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar gjithashtu rrugët dhe kanë ndërprerë shumë fluturime. Kryeministrja e qeverisë së përkohshme që mori detyrën në fillim të shtatorit, Sushila Karki, i siguroi bashkëqytetarët e saj se "të gjitha agjencitë qeveritare janë gati të ofrojnë ndihmë" për viktimat. "Siguria juaj është shqetësimi ynë kryesor", vazhdoi ajo, duke sqaruar se sot dhe nesër do të konsiderohen ditë feste.
Në anën tjetër të kufirit, në skajin verilindor të Indisë, shira veçanërisht të rrëmbyeshëm kanë goditur edhe distriktin Darjeeling të shtetit të Bengalit Perëndimor. Sipas një zyrtari të zgjedhur në zonë, Harsh V. Shringla, të paktën 20 persona kanë vdekur.
“Zona të tëra në kodra janë shkëputur nga pjesa tjetër e botës, rrugët janë shkatërruar”, tha ky anëtar i dhomës së lartë të parlamentit indian. Të paktën dy ura janë rrëmbyer nga ujërat, ndërsa rrugët dhe zona të gjera janë përmbytur, raportoi kreu i qeverisë së shtetit, Mamata Banerjee, nëpërmjet X.
“Jam i shkatërruar nga jetët e humbura”, reagoi kryeministri indian Narendra Modi dhe premtoi çdo ndihmë të mundshme nga qeveria në New Delhi.







