BOTA /

Politikat shtrënguese të Trump, SHBA pezullon aplikimet për viza studentore nga të huajt

Departamenti Amerikan i Shtetit ka pezulluar përkohësisht caktimin e intervistave të reja për viza studentore dhe programe shkëmbimi, ndërsa përgatitet të zgjerojë procesin e verifikimit të të dhënave të aplikantëve në rrjetet sociale.

Shkruar nga Versus
Politikat shtrënguese të Trump, SHBA pezullon aplikimet për viza
Foto arkiv: Një protestë studentore në SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit ka pezulluar përkohësisht caktimin e intervistave të reja për viza studentore dhe programe shkëmbimi, ndërsa përgatitet të zgjerojë procesin e verifikimit të të dhënave të aplikantëve në rrjetet sociale.

Një komunikatë zyrtare e brendshme, e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe siguruar nga agjencia Associated Press, konfirmon se Departamenti i Shtetit do të publikojë së shpejti udhëzime të reja për kontrollet e zgjeruara në platformat sociale.

“Me efekt të menjëhershëm, në funksion të përgatitjes për zgjerimin e verifikimeve të detyrueshme në rrjetet sociale, seksionet konsullore nuk duhet të shtojnë kapacitet për intervista të reja për viza studentore apo për programe shkëmbimi, derisa të lëshohen udhëzimet e reja,” thuhet në dokument.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur të martën, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se autoritetet amerikane janë të përkushtuara të përdorin çdo mjet të mundshëm për të verifikuar aplikantët për viza.
“Pavarësisht nëse janë studentë apo udhëtarë të zakonshëm, ne do të vijojmë të përdorim çdo instrument për të kuptuar se kush po hyn në SHBA,” deklaroi ajo.

Ky vendim i fundit, i raportuar fillimisht nga Politico, vjen në vazhdën e një linje masash shtrënguese të ndërmarra nga administrata Trump ndaj studentëve të huaj.

Javën e kaluar, qeveria amerikane i hoqi Universitetit të Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë ndërkombëtarë, duke e përjashtuar nga programi federal që u mundëson universiteteve të sponsorizojnë viza studentore. Vendimi u kundërshtua menjëherë në gjykatë dhe aktualisht është pezulluar nga një gjyqtar federal.

Ndërkohë, gjatë këtij viti, administrata revokoi edhe statusin ligjor të mijëra studentëve të huaj që ndodheshin tashmë në SHBA, duke shkaktuar panik dhe largime të menjëhershme nga vendi. Pas sfidave të shumta ligjore, qeveria njoftoi se do të rikthente statusin për shumë prej tyre, por paralelisht zgjeron kriteret mbi të cilat mund të revokohet ky status në të ardhmen.

Administrata e mëparshme e presidentit Donald Trump kishte forcuar ndjeshëm procesin e verifikimit të aplikantëve për viza, përfshirë kontrollin e llogarive të tyre në rrjetet sociale – politikë që mbeti në fuqi edhe gjatë mandatit të Presidentit Biden.

Ndërprerja e zgjatur e intervistave për viza studentore mund të sjellë vonesa të konsiderueshme, që rrezikojnë pjesëmarrjen e studentëve ndërkombëtarë në programet akademike të verës apo të vjeshtës në SHBA. Kjo situatë mund të ketë ndikime të drejtpërdrejta edhe në buxhetet e universiteteve amerikane, të cilat prej vitesh mbështeten gjithnjë e më shumë në tarifat e plota që paguajnë studentët ndërkombëtarë për të kompensuar mungesën e fondeve publike për kërkim shkencor. Versus.al

Poll