BOTA /

“Pa çelik, s’ka Amerikë”/ Trump: Dyfishon tarifat për çelikun dhe alumini, shpërblim 5 mijë USD për çdo punëtor amerikan

Donald Trump është rikthyer me një tjetër premtim bombastik ekonomik: nga e mërkura, tarifat për çelikun dhe aluminin e importuar do të dyfishohen nga 25% në 50%.

Shkruar nga Versus
“Pa çelik, s’ka Amerikë”/ Trump: Dyfishon tarifat
Donald Trump

Donald Trump është rikthyer me një tjetër premtim bombastik ekonomik: nga e mërkura, tarifat për çelikun dhe aluminin e importuar do të dyfishohen nga 25% në 50%.

“Nëse nuk ke çelik, nuk ke vend”, tha ai me retorikën e tij karakteristike, para një turme punëtorësh në zemrën industriale të Amerikës – Pittsburgh, Pennsylvania.

Lëvizja e re, e shoqëruar me premtime për shpërblime prej 5 mijë dollarësh për çdo punëtor të industrisë së çelikut, synon të ringjallë një sektor që për dekada ka qenë në rënie, ndërsa tregu është dominuar nga Kina, India dhe Japonia.

Superfuqi me çelik lokal

Trump tha se vendimi është pjesë e një strategjie për “rikthimin e fuqisë amerikane përmes prodhimit të brendshëm”. Ai premtoi gjithashtu një investim prej 14 miliardë dollarësh, nëpërmjet një partneriteti mes “US Steel” dhe gjigantit japonez “Nippon Steel”. Por me stilin e tij klasik, më vonë shtoi se “marrëveshja nuk është finalizuar... ende”.

Beteja me importin

Në vitin 2018, Trump vendosi një taksë 25% për importin e çelikut, duke e quajtur atë “moment shpëtimi” për US Steel. Tani, me rritjen në 50%, ai thotë se do të "blindojë" industrinë amerikane:
“Me 50%, s’mund të kapërcejnë më gardhin,” deklaroi ai. “Po e bëjmë çelikun e Pensilvanisë shtyllën kurrizore të Amerikës – më të fortë se kurrë më parë.”

Në fjalimin e tij, Trump nuk i kurseu akuzat ndaj Kinës, duke thënë se ajo ka shkelur marrëveshjet e tregtisë, përfshirë një “armëpushim ekonomik” të arritur në fillim të majit në Gjenevë.
Pekini reagoi menjëherë, duke akuzuar SHBA-në për “masa diskriminuese” dhe duke kërkuar heqjen e kufizimeve që i cilësoi si “të padrejta”.

Rreziku i kostove të fshehta

Ekonomistët janë më pak entuziastë. Ata paralajmërojnë se rritja e tarifave mund të shkaktojë përplasje të reja me partnerët tregtarë, rritje të çmimeve dhe tensione të shtuara në tregtinë globale. Por për Trump, mesazhi është i qartë: Amerika e para – dhe me çelik të vetin.

Në fund të fjalimit, Trump e përmbylli me një thirrje patriotike që bëri jehonë në sallë:
“S’do t’i lutemi Kinës për çelik kur të na duhet të ndërtojmë tanket. Amerika nuk lyps!” Versus.al