
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu drejtua deputetit aktual të PS, Petro Koçi i cili nuk do të jetë ligjvënës në parlamentin e ardhshëm. Berisha tha se arsyeja përse ai mbeti jashtë Kuvendit janë bandat kriminale që kanë zgjedhur përfaqësues të tyre në sallë.
“Petro kush të nxorri nga parlamenti ty? Kartelet të nxorrën, ja ta them unë. E di që do dalësh këtu të thuash jo, por ato të nxorrën. Se po të kishte qenë i tyre nuk dilje ti. Se je automat, nuk ke asgjë çfarë të thuash, do thuash atë që të kanë programuar”- tha Berisha.
Nuk vonoi as përgjigjia e deputetit socialist i cili i kujtoi Berishës ngjarje të së kaluarës, duke e quajtur “kampion të grushtit të shtetit në 1996-ën” dhe duke e akuzuar se kishte përdorur bandat për të dhunuar kundërshtarët politikë.
“Sali ti je i fundit në Shqipëri që mund të flasësh për zgjedhje të lira. Je kampioni i vjedhjes dhe i grushtit të shtetit të ’96-ës. A e mban mend çfarë i ke bërë kryetarit të PS në Librazhd e Bulqizë? I masakruat! Një rrahje barbare me bandat tuaja elektorale. A e mban mend çfarë u ke bërë komisionerëve të Fierit? I keni rrahu e nxjerrë nga qendrat e votimit”- tha Koçi. Versus.al







