
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka komentuar për herë të parë zërat që e shohin si një nga kandidatët potencialë për të pasuar Erion Veliajn në krye të Bashkisë së Tiranës.
Në një intervistë për “A2 CNN”, Gonxhja—i cili rezultoi kandidati më i votuar i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit—u shpreh mirënjohës për përmendjen e emrit të tij në publik, por mohoi të ketë ambicie apo lëvizje konkrete në këtë drejtim.
“Kur përballesh me një pritshmëri pozitive, apo kur opinioni publik mund të mendojë pozitivisht për një kandidaturë, kushdo qoftë ai, natyrisht do të ishte një moment pozitiv. Nuk ka asnjë lloj ambicie timen në këtë drejtim dhe nuk ka asgjë konkrete që të lidhet me personin tim. Unë mendoj që nuk jemi fare në këtë moment për zgjedhje në Bashkinë e Tiranës, ato kanë datën e tyre,”-tha Gonxhja.
Ndërkohë, për Partinë Socialiste duket se vera nuk do të jetë vetëm sezon pushimesh, por edhe një periudhë e rëndësishme politike. Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare, vëmendja tashmë po përqendrohet te riformatimi i kabinetit të Edi Ramës, i cili pritet të nisë mandatin e tij të katërt si kryeministër.
“Vera do të jetë e nxehtë, pasi stina është e nxehtë, por nuk ka asnjë rëndësi se sa keq do t’i bëjë vapa kujtdo, pra personit individualisht, pasi këtu rëndësi ka objektivi kryesor, ai që kishim në kokë: integrimi i Shqipërisë. Pjesa individuale është shumë relative dhe nuk besoj se do të më shqetësonte”.– theksoi Gonxhja.
Nga ana tjetër, strukturat e PS kanë nisur përgatitjet për zgjedhje në të paktën tre bashki: Mat, Berat dhe Tepelenë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Blendi Klosi, konfirmoi se puna në terren ka filluar dhe se objektivi mbetet i njëjtë: ruajtja e fitores në çdo nivel lokal./Versus.al







