POLITIKË /

"E shtytë në momentin e fundit", Avokati i Popullit dhe 11 maji, çështje debati në Kuvend! PD kërkon votimin

Shkruar nga Versus

"E shtytë në momentin e fundit", Avokati i Popullit dhe 11

Seanca e sotme plenare u hap me debate me PD-në që pretendoi se kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka hequr nga rendi i ditës votimin për Avokatin e Popullit.

Kryedemokrati Sali Berisha tha se vendimi për ta shtyrë votimin u mor në momentin e fundit duke pretenduar se mazhoranca nuk do të votojë një person që vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë.

“Tani, këtu keni vetinë të mashtroni, të trilloni çdo gjë, siç u vjen. Por këtu në këtë sallë, ne çështjen e Avokatit të Popullit e kemi sjellë gjer në votim dhe jeni ju që në momentin e fundit e shtytë. Jeni ju që kërkuat... Nuk është e vërtetë. U bë një proces, kaloi një proces dhe erdhi gjer në sallë dhe ju kërkuat që të shtyhet për një kohë të dytë. Ju mashtroni njëri-tjetrin, por mos mashtroni publikun se mashtrimi publik përbën vepër të rëndë”- u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, ministri Taulant Balla tha se opozita ka të drejtën e propozimit të një emri, por nuk ka një detyrim që e përcakton se ky kandidat duhet të votohet medoemos.

“Nuk shkruhet asgjëkund që avokati i popullit i takon opozitës, por ka një rregull të pashkruar që e kemi respektuar gjithmonë, vetëm në një rast të vetëm që erdhi për pasojë të një marrëveshje politike më 17 maj 2017. Opozita ka pasur ekskluzivitietin e propozimit të një emri. Në të gjitha rastet e tjera ka pasur një proces, modeli më i mirë ka qenë ai i vitit 2012, kur grupi i PS në opozitë në atë kohë, jap një proces të hapur ku konkurruan një numër i konsiderueshëm kandidatësh dhe ka patur konsultim me grupin e mazhorancës për të rënë dakord me emrin. Ju nuk mund të vini, o ky o ramë e vdiqëm. Peleshi në mënyrë të përsëritur, Çuçi dhe unë u kemi thënë ejani të ndërtojmë një proces. Ju mund të sillni 4 kandidatura, hiqen 2 me propozim të mazhorancës dhe shkohet me dy kandidaturat e mbetur për t’u votuar. Mos harroni asnjëherë që kërkohen 84 vota, në këtë legjislaturë nuk janë. Nuk keni dashur vetë ta zgjidhni”, tha Balla.

Më pas debatet u përqendruan tek zgjedhjet e 11 majit, për të cilat Berisha vijoi me akuzat duke i cilësuar si farsë elekorale, ndërsa nuk mungoi përgjigjia nga deputetët e PS, Petro Koçi e Toni Gogu. Ky i fundit tha se zgjedhjet ishin shembull dhe se e vetmja vjedhje ishin “primaret në PD”.

Berisha iu përgjigj duke i përmendur raportet e Parlamentit Europian.

“Përsëris atë që i kam thënë parafolësit se ky biblën e lexon si manifestin e Marksit. Ky njeri që flet këtu, u nxi u bë sterr në aulën e komisionit të jashtëm të Parlamentit Europian për ato që u thanë qoftë në raport qoftë në diskutimet e deputetëve më kryesorë për farsën elektorale në Shqipëri. U nxi dhe doli bashkë me atë tjetrin, Etjen Xhafën të nxirë. Tani u thotë se kështu tha deputeti Grin dhe tjetri. Çfarë tha deputeti përfaqësues i grupit kryesor, Galer? Raporti tha se Shqipëria nuk zhvillon zgjedhje të standarteve, se në Shqipëri zhvillohet farsë elektorale. Se krimi mori pjesë në zgjedhje”- tha Berisha. Versus.al

Poll